Status of Party

 

      STATUTI

 

Në bazë të nenit 14 të Ligjit mbi partit politike (“Gazeta zyrtare e RS”, nr. 36/2009), Kuvendi themelues i Partisë demokratike në mbledhjen e mbajtur më 02.07.2011 aprovoi

 

STATUTI

I Partisë demokratike

 

 

I. DISPOZITAT THEMELORE

Objekti i Statutit

 

Neni 1.

            Me këtë Statut rregullohet: emri dhe selia e partisë poltike; simbolet e identitetit vizuel; pamja dhe përmbajtja e vulës së partisë politike dhe e njësive organizative sipas parimit territorial; qëllimet programore; kushtet dhe mënyra e anëtarësimit dhe ndërprerjes së anëtarsisë, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e anëtarëve; organizimi sipas parimit territorial dhe organizimi i brendshëm, organet, autorizimet e tyre, përbërja, mënyra e zgjedhjes dhe e shkarkimit, kohëzgjatja e mandatit dhe mënyra e vendosjes; përfaqësimi i partisë politike; procedura për ndërrimin dhe plotësimin e programit dhe statutit dhe procedura e nxjerrjes dhe ndryshimit të akteve tjera të përgjithshme të partisë politike, nëse i nxjerrë; realizimi i publicitetit të punës; mënyra e vendosjes së partisë politike për tu bashkuar në aleanca më të gjera në vend dhe jashtë vendit dhe për bashkimin e partisë politike; personi përgjegjës për afarizmin financiar, paraqitja e raportit dhe udhëheqja e librave të partisë politike dhe personi i autorizuar për të kontaktuar me organet përkatëse; mënyra e marrjes së vendimeve për ndërprerjen e punës; mënyra e disponimit me pasurinë e partisë politike në rast të ndërprerjes së punës, si dhe çështje tjera me rëndësi për punën dhe veprimtarinë e partisë politike.

 

Neni 2.

            Emri i Partisë është  Demokratka Partia – Partia demokratike, në gjuhën serbe dhe në shkrimin cirilik, respektivisht, Partia demokratike në gjuhën shqipe dhe shkrimin latin, me të cilin emër do të regjistrohet në Regjistrin e partive politike.

 

 

Partia ka edhe shkurtesën e emrit të saj edhe atë DP në gjuhën serbe, dhe PD në gjuhën shqipe.

Selia e Partisë është në Bujanoc.

Neni 3.

Partia demokratike (në tekstin në vijim: Partia) është parti politike e cila përfaqëson interesat e pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë, qëllimet e së cilës janë definuar me Programin e Partisë dhe me këtë Statut.

Neni 4.

            Partia vepron në territorin e Republikës së Serbisë, kurse në pajtim me dispozitat ligjore edhe jashtë vendit.

Në kuadër të Partisë ekziston edhe organizata rinore dhe forumi i gruas.

Emri i organizatës rinore është Forumi i rinisë së PD (në tekstin në vijim: FR), ndërsa emri i forumit të gruas Forumi i gruas së PD (në tekstin në vijim: FG).

                                                                                                                       Neni 5.

            Programin dhe qëllimet e saj, Partia i realizon me formulimin demokratik të vullnetit politik të qytetarëve dhe pjesëmarrjen në zgjedhje, me ushtrimin e pushtetit apo duke vepruar në opozitë.

                                                                                                                        Neni 6.

            Partia është person juridik dhe atë e përfaqëson kryetari i Partisë apo personi të cilin ai e autorizon.

Neni  7.

            Partia ka vulën e saj.

Vula është e formës së rrumbullakët, e përmasës 40 mm, e shkruar në rreth me tekstin në gjuhën serbe, në tekstin cirilik dhe në gjuhën shqipe, në tekstin latin:

PARTIA DEMOKRATIKE  – Bujanoc

Në mesin e vulës është teksti i stilizuar “PD”, i cili njëkohësisht është llogoja e Partisë.

 

Vulat tjera të PD-së janë të shënuara me numra romak. Zyra qendrore e PD-së mbanë evidencën e posaçme për vulat të cilat i shfrytëzon Partia.

Neni 8.

            Partia ka llogon dhe flamurin e saj.

Flamuri i partisë është ngjyrë kaltër i përmasave 2:1. Në mes të flamurit janë të shkruara shkronjat e stilizuara PD, të ngjyrës së bardhë.

Llogo Partije predstavljaju stilizovana slova PD, plave boje.

Llogon e Partisë e paraqesin shkronjat e stilizuara PD, të ngjyrës së kaltër.

 

II.  QËLLIMET PROGRAMORE

     Neni 9.

Qëllimet programore të Partisë janë:

1)            Demokratizimi i shoqërisë dhe sundimi i të drejtës në të gjitha fushat e jetës;

2)            Afirmimi maksimal dhe avancimi i lirive dhe të drejtave të njeriut;

3)            Barazia e qytetarëve, mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të pakicës kombëtare shqiptare, në pajtim me normat ndërkombëtare;

4)            Afirmimi i plotë i gruas dhe barazia e plotë gjinore në të gjitha fushat e jetës;

5)            Anëtarësimi i vendit në Bashkësinë Evropiane;

6)            Ruajtja, mbrojtja dhe avancimi i të drejtave individuale dhe kolektive të pakicës shqiptare në Republikën e Serbisë;

7)            Pjesëmarrja efektive e Shqiptarëve në jetën publike, e veçanërisht integrimi në të gjitha nivelet e pushtetit;

8)            Kujdesi për familjen, ruajtja dhe avancimi i identitetit shqiptar dhe i vlerave tradicionale në jetën familjare dhe atë publike, mbrojtja e moralit publik;

9)            E drejta e qytetarëve në jug të Serbisë – në komunat Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, në zhvillim më të shpejt ekonomik, vetadministratë regjionale dhe decentralizim të pushtetit në Republikën e Serbisë;

10)        Zhvillimi i qëndrueshëm, mbrojtja, ruajtja dhe avancimi i mjedisit jetësor si dhe bashkëpunimi jashtëkufitar;

11)        Gjyqësori i pavarur.

 

 

 

Neni 10.

            Partia do të bashkëpunojë me partitë e ngjashme politike në realizimin e qëllimeve të përbashkëta globale në Republikën e Serbisë si dhe me organizatat e qytetarëve tanë jashtë vendit, në pajtim me ligjin.

Partia mund të bashkohet në aleanca të gjera politike në vend si dhe jashtë vendit, respektivisht mund të hyjë në koalicione me partitë tjera politike, me ç’rast ruan subjektivitetin e saj juridik për çka vendimin e merr në mbledhjen e tij Këshilli qendror, me shumicë votash të  anëtarëve të pranishëm.

Partia mund të bashkohet me ndonjë parti tjetër apo me parti tjera politike të cilat janë të regjistruara në Regjistër, në pajtim me ligjin, me vendimin e shumicës nga numri i gjithmbarshëm i anëtarëve të Kuvendit të Partisë.

Neni 11.

            Partia mund të bashkëpunoj dhe të jetë anëtare e shoqatave ndërkombëtare veprimtaria e të cilave është në pajtim me parimet e saja programore, e që nuk është në kundërshtim me dispozitat pozitive ligjore në Republikën e Serbisë.

Për anëtarësim në shoqatat ndërkombëtare vendosë Këshilli qendror.

Vendimi për anëtarësimin në shoqatat ndërkombëtare merret me shumicën e votave nga numri i gjithmbarshëm i anëtarëve të Këshillit qendror.

Neni 12.

Veprimtaria e Partisë është publike.

Publiciteti i punës realizohet:

Me publikimin përmes internetit të aktit themelues, emrit personal të përfaqësuesit të partisë politike, Programit, Statutit dhe të akteve tjera të përgjithshme nëse i bie;

  • Përmes informimit të rregullt të anëtarsisë dhe të opinionit për të gjitha çështjet me rëndësi lidhur me punën e Partisë;
  • Partia mund të nxjerrë revista të saja, buletine dhe publikime;

Mjetet e informimit publik mund të përcjellin punën e Partisë. Përjashtimisht, Partia mund të përjashtojë publikun nga punimet e saja për të cilën gjë organi i Partisë paraprakisht merr vendim.

 

 

 

III.  ANËTARËSIA

Neni 13.

            Anëtar i Partisë mund të bëhet çdo person i moshës madhore, që ka zotësi veprimi dhe i cili vullnetarisht pranon Programin dhe Statutin e Partisë dhe nënshkruan fletëregjistrimin.

Neni  14.

            Anëtari i Partisë ka të drejtë që në pajtim me Statutin të:

  • Zgjedhet dhe të zgjedh pët të gjitha organet dhe trupat e Partisë;
  • Marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e Partisë, si në aspektin kreativ e poashtu në zbatimin e politikës së saj;
  • Lirisht shpreh mendimin dhe jep propozime lidhur me veprimtarinë e Partisë përmes organit të Partisë, ndihmon punën e Partisë;
  • Kandidohet në listat partiake në zgjedhjet për organet e pushtetit;
  • Informohet mbi aktivitetet dhe veprimtarinë e Partisë dhe
  • Paraqet ankesë dhe parashtresë organeve të Partisë.

Neni  15.

            Anëtari i Partisë është i obliguar që në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin të:

  • Angazhohet për realizimin e Programit dhe të qëllimeve të Partisë;
  • Respektojë Statutin dhe aktet tjera normative të Partisë;
  • Zbatojë programin e Partisë dhe vendimet e organeve të Partisë;
  • Angazhohet për suksesin e Partisë në zgjedhje;
  • Ruaj reputacionin e Partisë dhe të mbrojë interesat e Partisë;
  • Marrë pjesë në aktivitetin e Partisë;
  • Ruaj dhe mbrojë pasurinë e Partisë;
  • Paguaj anëtarësinë.

Neni 16.

            Anëtarësia në Parti përfundon me daljen nga ajo, me përjashtim apo me vdekjen e anëtarit.

Anëtari mund të përjashtohet nga Partia nëse vepron në kundërshtim me Programin, Statutin dhe me vendimet e organeve të Partisë.

 

Propozimi për përjashtimin e anëtarit duhet të bëhet në formë të shkruar dhe i nënshkruar nga ana e propozuesit.

Propozimi për përjashtim duhet të jetë i argumentuar.

Vendimin mbi përjashtimin e merr dega e Partisë apo, nëse bëhet fjalë për funksionarë të Partisë, Këshilli qendror.

Anëtari ka të drejtë ankese kundër vendimit mbi përjashtimin Gjyqit të nderit më afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së vendimit mbi përjashtimin.

Gjyqi i nderit vendimin e tij e merr në afat prej 15 ditësh nga marrja e ankesës.

Vendimi i Gjyqit të nderit është përfundimtar.

 

  IV.  ORGANIZIMI DHE ORGANET E PARTISË

Neni 17.

            Organet e Partisë janë: Kuvendi, Këshilli qendror, kryetari, Kryesia, Gjyqi i nderit dhe Këshilli mbikëqyrës.

Kuvendi i Partisë

Neni 18.

           Kuvendi është organi i Partisë.

Kuvendi ka 95 delegatë.

Kuvendi mund të jetë i rregullt, i jashtëzakonshëm dhe solemn.

Kuvendi përbëhet nga delegatët e degëve dhe të nëndegëve, të zgjedhur në bazë të kritereve të cilat i përcakton Këshilli qendror.

Mandati i Kuvendit zgjatë katër vite.

Neni 19.

            Kryetari i Partisë e thirrë Kuvendin çdo të katërtin vit.

Kryetari i Partisë mund të thërras Kuvendin edhe para afatit të caktuar, nëse për këtë paraqitet nevoja.

Kuvendi mund të thirret edhe me propozim të një të tretës së anëtarëve të Kuvendit apo me propozim të një të tretës së anëtarëve të Këshillit qendror.

Kryetari është i obliguar të thërras Kuvendin me propozim të propozuesit nga alinea 3 e këtij neni në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së propozimit me shkrim.

Në rast se Kryetari nuk vepron në bazë të alinesë 4 të këtij neni propozuesit do të caktojnë anëtarin e Kuvendit i cili do të caktojë dhe kryesojë me seancën e Kuvendit.

Neni 20.

            Kuvendi i Partisë:

  • Aprovon rregulloren e punës;
  • Aprovon, ndryshon dhe plotëson Programin dhe Statutin;
  • Shqyrton dhe vlerëson aktivitetin e Partisë ndërmjet seancave të Kuvendit;
  • Shqyrton dhe vlerëson raportet mbi punën e Këshillit qendror, kryetarit të Partisë, Kryesisë së Partisë, Këshillit mbikëqyrës, Gjyqit të nderit dhe të organeve tjera, këshillave dhe trupave punues të Partisë;
  • Nxjerr aktet e përgjithshme juridike nga kompetenca e tij;
  • Cakton drejtimet themelore të veprimit të Partisë për periudhën e ardhshme;
  • Zgjedh Këshillin qendror, përveç anëtarëve sipas funksionit dhe anëtarëve të cilët i emëron kryetari i Partisë, kryetarin e Partisë, Kryesinë e Partisë, përveç anëtarëve sipas funksionit, Gjyqin e nderit dhe Këshillin mbikëqyrës;
  • Vendosë edhe për çështje tjera me rëndësi për punën dhe veprimtarinë e Partisë, në pajtim me Statutin e Partisë.

 

Kuvendi punon në mënyrë fuqiplotë nëse në mbledhje janë të pranishëm shumica nga numri i gjithmbarshëm i anëtarëve, ndërsa vendimet merren nga shumica e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit, përveç nëse me këtë Statut nuk është caktuar diçka tjetër.

 

Këshilli qendror

Neni 21.

            Këshilli qendror është organi më i lartë i Partisë në mes dy kuvendeve.

Këshilli qendror i Partisë numron 49 anëtarë, nga të cilët kryetari i Partisë i emëron 15 anëtarë, për të ruajtur kontinuitetin e Partisë, ndërsa 28 anëtarë i zgjedh Kuvendi me votim të fsheht në mbledhjen e tij, përveç nëse nuk vendoset diçka tjetër.

 

Kryetari i Partisë, kryetari i FR, kryetarja e FG dhe tre anëtarë nga diaspora janë sipas funksionit anëtarë të Këshillit qendror të Partisë.

Mandati i anëtarëve të Këshillit qendror zgjatë katër vite.

Në rast të sëmundjes, dhënies së dorëheqjes, shkarkimit apo pushimit të anëtarsisë në Parti, anëtarit të Këshillit qendror, Këshillit mbikëqyrës apo të Gjyqit të nderit, Këshilli qendror i Partisë bën plotësimin me anëtarin sipas radhës nga lista zgjedhore për zgjedhje në atë organ.

Seancat e Këshillit qendror i thërret dhe me ato kryeson kryetari i Partisë.

Seancat thirren edhe me propozimin e një të tretës së anëtarëve të Këshillit qendror.

Këshilli qendror vendos në mënyrë fuqiplotë kur në mbledhje është e pranishme shumica nga numri i gjithmbarshëm i anëtarëve, ndërsa vendimet merren nga shumica e anëtarëve të pranishëm të Këshillit qendror, nëse me këtë Statut nuk është caktuar diçka tjetër.

 

Neni 22.

            Këshilli qendror:

  • Aprovon rregulloren e punës;
  • Me propozim të kryetarit të Partisë, zgjedh nënkryetarët dhe sekretarin general të Partisë;
  • Zbaton vendimet dhe përfundimet e Kuvendit;
  • Vërteton politikën e partisë mes dy kuvendeve;
  • Vendosë për pjesëmarrjen e Partisë në zgjedhje dhe lidhur me koalicionet e mundshme;
  • Vërteton listën e kandidatëve për deputetë republikan, respektivisht të  këshilltarëve për zgjedhje lokale;
  • Vërteton kandidatët për titullarë të funksioneve publike për organe të pushtetit lokal dhe të organeve dhe organizatave republikane të cilat ushtrojnë autorizime publike;
  • Miraton vendimin mbi organizimin territorial të Partisë;
  • Me propozim të Kryesisë emëron dhe shkarkon anëtarët e trupave të përhershme të punës, këshillave dhe komisioneve si dhe trupave tjerë për të cilat paraqitet nevoja;
  • Shqyrton raportin vjetor të punës së organeve dhe trupave punuese të Partisë;
  • Vlerëson punën e përfaqësuesëve të Partisë në të gjitha nivelet e pushtetit dhe vendosë për revokimin e tyre;
  • Aprovon planin financiar vjetor të Partisë;
  • Shqyrton dhe aprovon raportet mbi afarizmin financiar të Partisë;
  • Rregullon bazat e organizimit dhe veprimit të Forumit të rinjve dhe të Forumit të gruas të PD-së;
  • Sipas nevojës mund të bie akte të përgjithshme juridike të Partisë;
  • Vendosë lidhur me bashkëpunimin apo anëtarësimin në shoqata ndërkombëtare, organizata dhe të ngjashme;
  • Këshilli qendror i Partisë ka të drejtë të ndërrojë llogon e Partisë;
  • Kryen edhe punë tjera për të cilat e obligon Kuvendi i Partisë.

      Neni 23.

Seancat e Këshillit qendror i thërret dhe i kryeson kryetari i Partisë, ndërsa në mungesë të tij, nënkryetari, me autorizim të kryetarit.

Seancat e Këshillit qendror thirren sipas nevojës, e më së paku 2 (dy ) herë në vit.

Në seancën e parë, menjëherë pas zgjedhjes, Këshilli qendror me propozim të kryetarit të Partisë zgjedh: nënkryetarët dhe sekretarin gjeneral të Partisë.

Kryetari i Partisë është i obliguar që të thërras seancën e Këshillit qendror kur këtë e kërkojnë Kryesia e Partisë apo një e treta e anëtarëve të Këshillit qendror.

Mandati i anëtarëve të Këshillit qendror pushon në të njëjtën mënyrë sikurse zgjedhen.

 

 Kryetari i Partisë

Neni 24.

Kryetarin e Partisë e zgjedh Kuvendi me votim të msheft, përveç nëse nuk vendoset ndryshe.

Kryetari i Partisë zgjedhet me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm të Kuvendit të Partisë.

Mandati i Kryetarit të Partisë zgjatë katër vite dhe mund të zgjedhet përsëri.

 Kryetari i Partisë:

  • Përfaqëson Partinë;
  • Thërret dhe kryeson mbledhjet e Kryesisë së Partisë, Këshillit qendror dhe të Kuvendit të Partisë;
  • Siguron unitetin dhe tërësinë e funksionalizimit të Partisë, si dhe ekzekutimin e politikës partiake të caktuar;
  •  Propozon Këshillit qendror kandidatët për zgjedhjen e tyre në organet e pushtetit;

i emëron 15 anëtarët e Këshillit qendror;

  • Propozon Këshillit qendror kandidatët për nënkryetarë dhe sekretarin gjeneral të Partisë;
  • Përgatitë dhe propozon Programin e Partisë;
  • Inicon zgjidhjen e çështjeve politike dhe çështjeve të rëndësishme për Partinë.

            Në rast të rrethanave të jashtëzakonshme (kur është pamundësuar puna e Kuvendit, Këshillit qendror dhe i organeve tjera) e shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Parti dhe ndërmerr masa përkatëse me qëllim të mbrojtjes së Partisë dhe orientimeve programore. Pas pushimit të rrethanave të lartcekura mbi veprimet dhe masat e marra nga ana e kryetarit Këshilli qendror bie vendim që të njëjtat të aprovohen apo të refuzohen me shumicë votash të pranishmëve.

Për punën e tij kryetari i është përgjegjës Kuvendit i cili mund ta revokoj.

Propozimin për revokim mund ta paraqesë një e treta e anëtarëve të Kuvendit të Partisë apo një treta e Këshillit qendror nëse konsiderojnë se kryetari pa sukses po e udhëheqë Partinë apo se po i shkelë dispozitat e Statutit.

Shkarkimi bëhet në të njëjtën mënyrë sikurse edhe zgjedhja e tij.

Lidhur me shkeljet e dispozitave të Statutit vendosë Komisioni statutar dhe për këtë çështje e njofton Kuvendin respektivisht Këshillin qendror.

Propozimi për revokim duhet të jetë i argumentuar dhe i paraqitur në formën e shkruar.

Kryetari mund të shkarkohet edhe me dhënien e dorëheqjes së parevokueshme, ndërsa Kuvendi në rast të tillë vetëm konstaton shkarkimin nga funksioni.

 

 Nënkryetarët e Partisë

 Neni 25.

            Në rast të mungesës së kryetarit të Partisë punët e tij i kryen njëri nga nënryetarët e Partisë apo personi të cilin kryetari e autorizon në formën me shkrim.

Partia ka tre nënkryetarë.

          Neni 26.

Nënkryetarët e Partisë i zgjedh Këshilli qendror nga radha e tij, me propozim të kryetarit të Partisë apo me propozimin me shkrim të një të tretës së anëtarëve të Këshillit qendror, me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm dhe në të njëjtën mënyrë i shkarkon.

Zgjedhja dhe shkarkimi i personave nga alinea 1. i këtij neni bëhet me votim të fshehtë, përveç nëse nuk vendoset ndryshe.

Mandati i nënkryetarëve të Partisë zgjatë katër vite.

Neni 27.

            Në rast se konsiderojnë se nënkryetarët nuk po i realizojnë me sukses detyrat e tyre, sillen negativisht apo veprojnë në kundërshtim me Programin dhe Statutin e Partisë, një e treta e anëtarëve e Këshillit qendror apo kryetari i Partisë mund të inicojnë procedurën për revokimin e tyre.

Propozimi për revokimin e tyre duhet të jetë i argumentuar.

Vendimin mbi revokimin e nënkryetarëve të Partisë, Këshilli qendror e bjen me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

Nëse nënkryetarët e Partisë japin dorëheqje në funksionin e tyre, Këshilli qendror me propozim të kryetarit të Partisë, nga radhët e tij, do të zgjedh nënkryetarin e Partisë.

 

Sekretari gjeneral i Partisë

        Neni 28.

Partija ka Sekretarin gjeneral.

Sekretarin gjeneral të PD-së e zgjedh Këshilli qendror nga radha e tij, me propozim të Kryetarit të Partisë, me votim publik, me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

Mandati i Sekretarit gjeneral zgjatë katër vite.

Sekretari gjeneral i partisë:

  • Sipas funksionit është i autorizuar për promovimin dhe harmonizimin e qëndrimeve të Partisë në marrëdhënie me partitë tjera politike, organet shtetërore, organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat;
  • Përgjigjet për afarizmin financiar të Partisë, paraqitjen e raporteve dhe udhëheqjen e librave të Partisë dhe është i autorizuar që lidhur me ato punë të kontaktojë me organet përkatëse;
  • Përgatitë dhe organizon mbajtjen e seancave të organeve dhe trupave të punës së Partisë;
  • Koordinon punën e të gjitha organeve të Partisë dhe organizon zbatimin e vendimeve dhe përfundimeve të tyre në të gjitha nivelet e organizimit partiak, si dhe në organet e pushtetit dhe në organet tjera shtetërore, institucionet dhe funksionet publike;
  • Interpreton e vendimeve dhe të përfundimeve të nxjerra dhe vërteton procesverbalet nga mbledhjet e Kryesisë dhe të Këshillit qendror;
  • Përgatitë dhe organizon bisedimet zyrtare, takimet dhe mbledhjet në emër të Partisë.

Për punën e tij Sekretari gjeneral i përgjigjet Këshillit qendror dhe Kryetarit të Partisë.

Shkarkimi apo revokimi i Sekretarit gjeneral bëhet në të njëjtën mënyrë si edhe zgjedhja e tij.

 

 Kryesia

Neni 29.

            Trupi ekzekutivo – politik i Partisë është Kryesia.

Kryesia e Partisë është e përbër nga 29 anëtarë.

Kryesinë e Partisë e përbëjnë: kryetari i Partisë, sekretari gjeneral, tre nënkryetarë,  kryetari/ja i FR dhe FG, Këshillit mbikëqyrës, Gjyqit të nderit, Komisionit kadrovik dhe një anëtarë nga diaspora sipas funksionit dhe anëtarët tjerë, që i zgjedhë Kuvendi i Partisë.

Anëtarët e Kryesisë, të cilët zgjedhen drejtpërdrejt nga ana e Kuvendit të Partisë, zgjedhen me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm, me votim të fsheht, përveç nëse nuk vendoset ndryshe dhe në të njëjtën mënyrë shkarkohen.

Sekretari gjeneral merr pjesë në seancë me të drejtë vote.

Kryetari i Partisë fton dhe kryeson mbledhjen e Kryesisë.

Propozimin për thirrjen e mbledhjes mund ta paraqesin edhe një e treta e anëtarëve të Kryesisë.

Anëtarët e Kryesisë marrin detyrat nga fushat e caktuara dhe janë përgjegjës për përcjelljen, propozimin dhe realizimin e politikës së aprovuar nga Partia për atë fushë.

 

Neni 30.

Në mbledhjen e parë të Kryesisë, kryetari i Partisë jep detyra konkrete për resore nënkryetarëve. Nënkryetarët janë të obliguar që në afatin prej më së largu 30 ditësh të përpilojnë dhe paraqesin programin e punës nga resori i tyre, në formën me shkrim të paraqesin përbërjen e trupave punues, të udhëheqin me punën dhe realizimin e programit.

 

 Kryesia e Partisë:

 

  • Aprovon rregulloren e punës;
  • Zbaton politikën e caktuar ndërmjet dy seancave të Këshillit qendror dhe kryen punët dhe detyrat vijuese;
  • Vërteton të gjitha projekt aktet dhe vendimet të cilat i bjen Kuvendi dhe propozim aktet të cilat i bjen Këshilli qendror;
  •  Propozon Këshillit qendror emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të trupave të përhershëm, këshillave dhe komisioneve dhe të trupave tjerë të punës për të cilat paraqitet nevoja;
  • Përcjell punën e organeve më të ulëta të Partisë dhe vendosë në pajtim me Statutin;

ekzekuton vendimet dhe zbaton qëndrimet e Kuvendit dhe të Këshillit qendror;

  • Vërteton propozimin e planit financiar të Partisë;
  • Kujdeset për pasurinë e partisë dhe disponon me pasurinë e Partisë;
  • Në bashkëpunim me përfaqësuesit e Partisë në organet e pushtetit organizon hartimin e programeve, projekteve, përfundimeve, vendimeve, dekreteve, amandamenteve, ligjeve e të ngjashme;
  • Merr qëndrime lidhur me vendimet e caktuara;
  • Propozon themelimin e degëve të partisë apo shuarjen e punës së degëve, respektivisht shuarjen e tyre dhe emërimin e koordinatorëve deri në zgjedhje dhe caktimin e afatit për zgjedhje;
  • Paraqet propozim listat e kandidatëve për zgjedhje në organe të Partisë, e gjithashtu edhe për organet e pushtetit lokal dhe republikan;
  •  Kujdeset për financimin e Partisë dhe për mbledhjen e anëtarësisë dhe nga ndihma (kontributi) i  personave juridik dhe fizik;
  •  Emëron shefin e shërbimeve profesionale të Partisë;
  • Sipas nevojës themelon shërbime profesionale dhe vendosë për marrëdhëniet e punës në Parti;
  • Kryen edhe punë dhe detyra tjera të cilat ia beson Këshili qendror.

 

Kryesia punon në mënyrë fuqiplotë kur në seancë është e pranishme shumica e anëtarëve, ndërsa vendimet merren me shumicë votash të anëtarsëve të Kryesisë.

 

 

Këshilli mbikëqyrës

Neni 31.

 

Këshilli mbikëqyrës numëron shtatë anëtarë.

Anëtarët e Këshillit drejtues zgjedhen nga ana Kuvendit të Partisë, me votim publik, me shumicë të votave të anëtarëve të pranishëm dhe në të njëjtën mënyrë shkarkohen.

Këshilli mbikëqyrës në seancën konstituive e zgjedh kryetarin e Këshillit mbikëqyrës nga përbërja e tij.

Mandati i anëtarëve të Këshillit mbikëqyrës zgjatë katër vite.

 

 Këshilli mbikëqyrës:

 

  • Kontrollon afarizmin financiar e të gjitha organeve dhe shërbimeve profesionale të Partisë;
  • Përcjell aplikimin e dispozitave të Statutit, Programin dhe realizimin e vendimeve të organeve të Partisë;
  • Në bashkëpunim me Komisionin kadrovik përcjell procedurën zgjedhore, tërheq vërejtjen për rregullat, jep afatin për përmirësime dhe jep mendime mbi rregullsinë e zgjedhjeve Kryesisë dhe Këshillit qendror;
  • Përcjell rregullsinë e zgjedhjeve në organet e Partisë në të gjitha nivelet, bën sumimin e raporteve, bën vlerësime për punën e tyre dhe i jep në shqyrtim Kryesisë dhe Këshillit qendror;
  • Përcjell dinamikën dhe sezioritetin e organizimit, si dhe rregullsinë e procesit zgjedhor nga vendvotimi deri te Komisioni zgjedhor komunal, respektivisht deri te Komisioni zgjedhor Republikan;
  • Përcjell planin dhe programin e aktiviteteve parazgjedhore në të gjitha nivelet;
  • Përcjell kampanjën mediatike të paraqitjeve publike dhe çdo prezencë në media;
  • Përcjell mbajtjen e tubimeve publike;
  • Tërheq vërejtjen për lëshimet dhe paraqet përmirësime;
  • Kryen edhe punë tjera të mbikëqyrjes dhe të kontrollit sipas vetiniciativës dhe iniciativës së Këshillit qendror, Kryesisë apo Kryetarit të Partisë.

 

Këshilli mbikëqyrës punon në mënyrë fuqiplotë kur është e pranishme shumica e anëtarëve të

Këshillit, ndërsa vlerësimet, propozimet, qëndrimet dhe përfundimet i bjen me shumicë votash.

 

Kuvendi i Partisë mund të revokojë Këshillin mbikëqyrës në tërësi apo anëtarin e Këshillit mbikëqyrës me propozim të arsyetuar me shkrim të Kryesisë të Partisë.

 

 

Gjyqi i nderit

Neni 32.

 Gjyqi i nderit numëron shtatë anëtarë.

Anëtarët e Gjyqit zgjedhen nga Kuvendi i Partisë, me votim publik, me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm dhe në të njëjtën mënyrë shkarkohen.

Gjyqi i nderit në seancën konstituive, me propozim të Kryesisë së Partisë, zgjedh kryetarin dhe zëvendësin e kryetarit të Gjyqit të nderit nga radha e tij.

Mandati i Gjyqit të nderit zgjatë katër vite.

Mandati i anëtarëve të Gjyqit mund të ndërprehet edhe para skadimit të mandatit për të cilin janë zgjedhur, edhe atë:

  • Me dhënien e dorëheqjes së parevokueshme;
  • Me paraqitjen e rrethanave për shkak të cilave nuk mund të kryej detyrën;
  • Me shkarkimin nga ana e Kuvendit.

 

Nëse për shkak të ndërprerjes së parakohëshme të mandatit anëtarit të Gjykatës së nderit ekziston vendi i zbrazët në Gjyqin e nderit, gjyqi mund të punojë edhe pa këtë anëtarë.

Kuvendi i Partisë demokratike në seancën e parë të radhës mund të zgjedhë anëtarin e ri të Gjyqit të nderit të cilit mandati do t’i zgjasë deri në përfundim të mandatit të përbërjes aktuale të Gjyqit të nderit.

 

Gjyqi i nderit zgjidhë iniciativat për konstatimin e përgjegjësisë dhe të përjashtimit të anëtarëve, si dhe rastet tjera të cilat i jepen në kompetencë me Statut apo tjetër akt të përgjitshëm të Partisë.

Vendosë për shqiptimin e masës së vërejtjes dhe të përjashtimit nga anëtarësia në shkallë të dytë, edhe atë me shumicë të votave të anëtarëve të pranishëm.

            Punon në Kolegj prej tre anëtarësh.

Gjyqi i nderit vendosë për të gjitha çështjet kontestuese në Parti dhe zgjidhë çështjet në bazë të ankesave lidhur me:

 

  • Vendimet mbi përjashtimin nga anëtarësia;
  • Vendimet mbi revokimin nga funksioni partiak;
  • Vendimin mbi revokimin nga funksionet publike në organet e pushtetit apo funksionet tjera publike udhëheqëse;
  • Vendimet për shuarjen – shkarkimin e organeve të caktuara të nëndegëve apo të degës në tërësi;
  • Vendimin mbi ndërprerjen e punës së degës;
  • Vendimin mbi vërtetimin e listave të kandidatëve për zgjedhjen në organe të Partisë apo organe të pushtetit si dhe në funksione tjera publike apo udhëheqëse;
  • Shkeljes së procedurës zgjedhore dhe parregullsi tjera në procesin zgjedhor;

rezultatet zgjedhore,

  • Punën e funkcionerëve në të gjitha nivelet.

 

Kryetari i Gjyqit të nderit, duhet të jetë jurist.

Vendimet e këtij gjyqi shpallen në tabelën shpallëse të Partisë.

Mbajtja e seancave me organet më të ulëta të Partisë

 

Neni  33.

Anëtarët e organeve drejtpërdrejt më të larta përfaqësuese të Partisë (kryetari, Kryesia, Këshilli qendror, Këshilli mbikëqyrës dhe Gjyqi i nderit) mund të marrin pjesë në punën e organeve më të ulëta të Partisë, por pa të drejtë votimi.

 

Këshillat dhe komisionet profesionale

 

Neni  34.

            Këshillat dhe komisionet  profesionale janë trupa të përhershme të Partisë mandati i të cilëve zgjatë katër vite.

Në bazë të Statutit dhe Programit të Partisë, trupat punues nga alineja e mëparshme i propozojnë Këshillit qendror programe afatshkurtëra dhe afatgjata nga fusha e tyre, strategjinë për realizimin e programit, planin aksional dhe financiar.

Pas miratimit në Këshillin qendror programet, planet, projektet dhe qëndrimet bëhen të obligueshme.

Këshillat dhe komisionet  profesionale inicojnë dhe propozojnë ndryshime konkrete të Statutit dhe Programit të Partisë nga kompetenca e tyre dhe japin i mendime dhe rekomandime organeve të Partisë dhe përfaqësuesëve të Partisë në organet e pushtetit apo në funksionet tjera publike, si dhe propozime të përfundimeve, vendimeve, propozime të ligjeve, amandamente në ligje etj.

 

Këshilli politik

 

            Partia mund të ketë Këshillin politik, në pajtim me Statutin.

 

Me Këshillin politik kryeson dhe udhëheqë njëri nga nënkryetarët e Partisë apo personi të cilin e emëron Kryesia e Partisë.

 

 Komisioni zgjedhor

 

            Kryetarin, zëvendësin e kryetarit dhe anëtarët e Komisonit zgjedhor i emëron dhe i shkarkon Këshilli qendror me propozim të Kryesisë së Partisë, me votim publik, me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

Komisioni zgjedhor numëron gjithsejtë shtatë anëtarë.

Kryetar i Komisionit zgjedhor sipas funksionit është njëri nga nënkryetarët e Partisë.

 

 Komisioni zgjedhor:

 

  • Propozon organeve të Partisë planin dhe programin e aktiviteteve parazgjedhore dhe të fushatës zgjedhore me planin financiar dhe udhëheqë realizimin e planit dhe programit të miratuar;
  • Përgatitë komplet infrastrukturën partiake për pjesëmarrje në procesin zgjedhor në të gjitha nivelet;
  • Mbanë evidencën e të gjitha vendvotimeve në territorin e të gjitha degëve;
  •  Jep pëlqimin për emërimin në këshillat zgjedhore nëpër vendvotime;
  • Përcjell dhe studion rregullat ligjore lidhur me organizimin e zgjedhjeve;
  • Organizon seminare për trajnimin e anëtarëve të këshillave;
  • Bën koordinimin e shtabeve zgjedhore dhe këshillave zgjedhore në të gjitha nivelet;
  • Udhëheqë me aktivitetet në përfitimin e zgjedhësve gjatë tërë mandatit.

 

Vendimet merren me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

 

 

Komisioni statutar

 

            Kryetarin, zëvendësin e kryetarit dhe anëtarët e Komisionit statutar i emëron dhe i shkarkon Këshilli qendror me propozim të Kryesisë së Partisë, me votim publik, me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

Komisioni statutar numëron gjithsejtë shtatë anëtarë, prej të cilëve tre janë juristë.

 

 Komisoni statutar:

  • Vërteton projektin e Statutit;
  • Interpreton Statutin dhe aktet tjera të përgjithshme;
  • Vërteton harmonizimin e akteve të përgjithshme me Ligjin dhe Statutin dhe harmonizimin e ndërsjellë të akteve të përgjithshme dhe propozon zgjidhje nëse konstaton joharmonizim;
  • Zgjidh konfliktin e kompetencës në mes organeve të Partisë kur me Statut kjo nuk është zgjidhur ndryshe.

 

Vendimet merren me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

 

 Komisioni kadrovik

 

            Kryetarin, zëvendësin e kryetarit dhe anëtarët e Komisionit kadrovik i emëron dhe shkarkon Këshilli qendror me propozim të Kryesisë së Partisë, me votim publik, me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

Komisioni kadrovik numëron gjithsejtë shtatë anëtarë.

Kryetari i Komisionit kadrovik sipas funksionit është anëtarë i Kryesisë së Partisë.

 

Komisioni kadrovik:

 

  • Propozon politikën kadrovike të Partisë;
  • Propozon kriteret për zgjedhjen e kandidatëve;
  • Në pajtim me parimet dhe kriteret e miratuara të partisë bën listat kadrovike të kuadrove potenciale sipas përgatitjes profesionale, të cilët tregojnë gatishmëri dhe aftësi që të kandidohen për zgjedhje apo emërim në organet e Partisë apo në funksionet publike në emër të Partisë;
  • Përcjell dhe analizon punën e përfaqësuesëve të Partisë në organet e pushtetit si dhe në vendet udhëheqëse dhe funksioneve tjera publike dhe pozitave dhe tërheq vërejtjen për lëshimet dhe gabimet;
  • Jep vlerësimin për punën e tyre, dhe për këtë i njofton organet përkatëse të Partisë.

 

Vendimet merren me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

V.   ORGANIZIMI  TERRITORIAL

 

Organizimi i Partisë sipas parimit territorial

 

Neni 35.

Themelimi i degëve të Partisë është i lidhur me nevojat e anëtarësisë për të vepruar politikisht.

Në territorin e komunës mund të themelohet një degë, ndërsa sipas nevojës dhe numrit të anëtarëve mund të organizohen më shumë nëndegë në kuadër të degës.

Dega e Partisë themelohet me vendim të Këshillit qendror.

 

Neni 36.

Organet e degës janë:

 

v  Kuvendi i degës;

v  Kryesia;

v  Dega e Partisë sipas nevojës mund të formojë komisione të ndryshme dhe këshilla, për çka vendimin e merr Kryesia e degës.

 

Neni 37.

Delegatët për Kuvend zgjedhen në bazë të kritereve të cilat i miraton Këshilli qendror i Partisë.

Kuvendi i degës formohet sipas parimit të përfaqësimit në bazë të rezultateve të zgjedhjeve nëpër nëndegë për zgjedhjen e delegatëve.

Në mbledhjen konstituive të Kuvendit të degës Komisioni zgjedhor jep raportin, verifikohen mandatet e përfaqsuesëve dhe zgjedhet kryesia me votim të fsheht, përveç nëse nuk vendoset ndryshe të votohet.

Kryetarin, zëvendës kryetarin dhe sekretarin i zgjedh kryesia e degës me shumicë votash, me votim publik.

            Mandati i Kuvendit zgjatë katër vite.

Këshilli qendror i Partisë ka të drejtën e revokimit të kuvendit të degës apo përfaqësuesit individualisht.

Vendimet në Kuvend miratohen me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

 

Neni 38.

Kuvendi i degës:

 

  • Shqyrton dhe miraton programin e punës;
  • Shqyrton planin financiar dhe raportin e punës së degës;
  • Zgjedh kryesinë e degës. 

Neni 39.

Kryesia e degës:

  • Shqyrton rrethanat politiko – shoqërore në territorin e saj;
  • Vërteton kahjet për punën e degës ndërmjet dy mbledhjeve të Kuvendit të degës;

propozon listën e kandidatëve Komisionit kadrovik nga dega për në instancat më të larta të Partisë.

  • Kryesia e degës mbanë mbledhje sipas nevojës, së paku dy herë në vit.

 

Mandati i kryesisë së degës zgjatë katër vite.

Vendimet në mbledhje të kryesisë merren me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm.

 

Grupet e këshilltarëve

Neni 40.

Në kuvendet e komunave këshilltarët e zgjedhur të Partisë formojnë grupin e këshilltarëve në mënyrë të pavarur apo së bashku me këshilltarët e partive tjera ku merren vesh lidhur me aktivitetet e tyre dhe marrin qëndrim të përbashkët për çështjet të cilat janë në rend të ditës së Kuvendit, në pajtim me Programin, vendimet dhe qëndrimet e Partisë.

Kryetarin dhe zëvendësin e grupit të këshilltarëve e zgjedhin këshilltarët ndërmjet tyre, me propozim të Kryesisë së Partisë.

 

 

VI.  SHËRBIMET PROFESIONALE TË PARTISË  

 

Neni 41.

            Për kryerjen e punëve administrative, operative dhe materialo – teknike formohen shërbimet profesionale të Partisë, varësisht prej nevojave dhe mundësive të Partisë, për çka vendos Kryesia e Partisë.

 

 

Neni 42.

Me shërbimet profesionale udhëheqë shefi i shërbimeve profesionale të cilin e emëron Kryesia e Partisë.

 

 

 VII.  ZGJEDHJET DHE PUNA E ORGANEVE TË PARTISË

 

      Neni 43.

Zgjedhjet për të gjitha organet e Partisë zhvillohen me votim të fshehtë ndërmjet më shumë kandidatëve, përveç nëse nuk vendoset ndryshe, në pajtim me Statutin.

 

       Neni 44.

            Të gjithë kandidatët për organe dhe funksione të Partisë duhet të gëzojnë autoritet në mesin ku jetojnë dhe punojnë dhe të tregojnë lojalitet ndaj parimeve programore të Partisë si dhe të kenë profesionalizmin e duhur.

Përfaqësuesit e Partisë në funksionet partiake, si edhe në organet e pushtetit, duhet të jenë të përgjegjshëm në punë dhe të japin maksimumin e tyre dhe në këtë mënyrë të forcojnë autoritetin e Partisë.

Neni 45.

            Të gjithë anëtarët e organeve të Partisë dhe bartësit e funksioneve në Parti apo në organet e pushtetit për punën e tyre i përgjigjen organeve përkatëse të Partisë.

 

Neni 46.

            Të gjithë organet e Partisë janë të obliguara të punojnë sipas Statutit, Programit dhe vendimeve të organeve më të larta të Partisë.

 

VIII.  AFARIZMI MATERIALO – FINANCIAR

Neni 47.

 

            Partia financohet në pajtim me ligjin.

Të hyrat publike përbëhen nga mjetet e buxhetit të Republikës së Serbisë dhe nga buxheti i njësisë së vetadministratës lokale, mjetet e lejuara për financimin e rregullt të punës së partisë politike dhe për shpenzimet e kampanjës zgjedhore.

Të hyrat private përbëhen nga: anëtarësia, ndihmat e personave fizik dhe juridik, trashëgimia, legati, të hyrat nga pasuria dhe hyrja në detyrime te bankat dhe te organizatat tjera në Republikën e Serbisë.

 

Neni 48.

            Afarizmi financiar i Partisë kryhet përmes arkës dhe llogarisë rrjedhëse, në pajtim me dispozitat ligjore.

Partia ka vetëm një llogari rrjedhëse, ndërsa në pajtim me ligjin me qëllim të mbledhjes së mjeteve për financimin e kampanjës zgjedhore do të hapet llogari e posaçme e cila nuk mund të shfrytëzohet për qllime tjera.

Të hyrat dhe daljet e mjeteve mund të kryhen vetëm në bazë të urdhrit me shkrim me dokumentacionin e plotë përcjellës dhe çdo ndryshim në mjete duhet menjëherë të evidentohet në kontabilitet.

Për afarizmin materialo – financiar të Partisë dhe për kontakte me organet përkatëse përgjegjës është Sekretari gjeneral i Partisë.

Kontrolli i brendshëm i afarizmit financiar të Partisë është në kompetencë të Organit mbikëqyrës.

Mjetet e Partisë shërbejnë ekskluzivisht për aktivitetet e saja dhe ajo disponon në pajtim me dispozitat e ligjeve pozitive.

Urdhrat për disponimin e mjeteve të Partisë i nënshkruan Kryetari i Partisë apo personi të cilin ai e autorizon.

 

 IX.  NDRYSHIMET DHE PLOTËSIMET DHE APROVIMI I PROGRAMIT DHE STATUTIT TË PARTISË

 

Neni 49.

            Ndryshimet dhe plotësimet e Programit dhe Statutit apo aprovimi i Programit dhe Statutit të ri është në kompetencë të Kuvendit të Partisë.

 

Neni 50.

            Të drejtën e paraqitjes së propozimit për ndryshimin apo plotësimin e Programit dhe Statutit respektivisht të pastrimit të tekstit të Statutit dhe Programit e kanë: Kryesia, një e treta e anëtarëve të Këshillit qendror, degët e partisë dhe një e treta e anëtarëve të Kuvendit.

Propozimet duhet t’i paraqiten Këshillit qendror më së voni tridhjetë ditë para mbajtjes së Kuvendit.

Iniciativën për prurjen e Programit dhe të Statutit të ri e merr Këshilli qendror dhe e vërteton propozimin e tij.

Propozimin e ndryshimit dhe të plotësimit, respektivisht të tekstit të Programit dhe të Statutit të ri Këshilli qendror e vërteton me shumicë votash të anëtarëve të tij.

Për ndryshimet dhe plotësimet e Programit dhe të Statutit, si dhe për aprovimin e Programit dhe të Statutit të ri, Kuvendi i Partisë vendosë me votim publik, me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

 

X.  DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 

   Neni 51.

            Partia mund të ndërprejë punën nëse për këtë vendosë Kuvendi i Partisë.

Kuvendi mund të vendosë për ndërprerjen e punës së Partisë vetëm nëse në seancë marrin pjesë dy të tretat e anëtarëve, ndërsa vendimi për ndërprerjen e punës së Partisë  mund të merret vetëm nëse për këtë kanë votuar dy të tretat e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit.

 

Neni 52.

            Me vendimin mbi ndërprejrejn e punës njëkohësisht  vendoset edhe për pasurinë e Partisë e cila me atë vendim mund t’iu jepet ndonjë institucion humanitar, kulturor apo fetar apo t’i dhurohet institucionit përkatës i cili merret me mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe ruajtjen e identitetit të pakicës kombëtare shqiptare.

 

Neni 53.

Për gjithçka që nuk është paraparë me dispozitat e këtij Statuti do të aplikohen dispozitat e Ligjit mbi partitë politike.

 

Neni 54.

 

            Ky Statut hyn në fuqi në ditën e miratimit.

 

 

Nr.__________

 

 

 

 

 

 

Bujanoc,

02.07.2011

 

 

 

Kuvendi themelues i    Partisë demokratike

 

 

 

Kryesuesi:                                                                                                                                        

Mr Nagip Arifi 

Documents